Learta Hollaj, shefja e stafit të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, deklaroi se presidentja kreu një detyrim kushtetues duke nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit më 6 mars 2026.
Sipas Hollaj, Osmani zbatoi atë që kërkon Kushtetuta dhe mosnxjerrja e dekretit do të përbënte shkelje kushtetuese. "Presidentja zbatoi atë që Kushtetuta kërkon. Pra, kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë. Ajo do ta shkelte Kushtetutën sikur mos ta nxirrte një dekret të tillë", thuhet në reagimin e saj të publikuar në Facebook.
Hollaj iu përgjigj kritikave të kryeministrit Albin Kurti dhe partive në pushtet, duke thënë se akuzat për "verbërim pushteti, monarki, arbitraritet e lloj-lloj fyerjesh" tregojnë mungesë tolerance minimale ndaj interpretimeve të ndryshme të Kushtetutës. Ajo e cilësoi turp përmendjen e këtyre fyerjeve.
Presidentja Osmani ka shprehur se e mirëpret dërgimin e dekretit në Gjykatën Kushtetuese dhe do ta respektojë çfarëdo vendimi. "Në një republikë, zelli për Kushtetutën është detyrë, jo ambicie", përfundoi Hollaj.
Reagimi vjen pas kundërshtimeve të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili e ka konsideruar dekretin jokushtetues dhe ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese.