Prokurorët italianë Paolo Storari dhe Mauro Clerici kanë ndërmarrë veprime ligjore ndaj kompanisë Caddell Construction, pasi hetimet zbuluan shkelje të rënda të të drejtave të punëtorëve në kantierin e ndërtimit të Konsullatës së re Amerikane në Milano. Kompania është vënë nën administrim gjyqësor për akuzat e shfrytëzimit të punës dhe ndërmjetësimit të paligjshëm.
Sipas gjetjeve të prokurorisë, punëtorët ishin rekrutuar përmes kompanisë Dynamic House me seli në New Delhi. Para mbërritjes në Itali, punëtorëve u kërkohej të paguanin shumën prej 5 mijë eurosh si tarifë për vizën dhe sigurimin e punës, gjë që prokurorët e kanë cilësuar si një formë zhvatjeje, e cila i detyronte familjet e punëtorëve të merrnin borxhe të rënda.
Pas ardhjes në kantier, punëtorët përballeshin me kushte pune që janë përshkruar si shfrytëzim. Pagat ishin nën nivelin e 2 eurove në orë, ndërsa përgjegjësit e kantierit mbanin një pjesë të pagës me pretekstin e shpenzimeve për strehim dhe ushqim. Përveç pagesave të ulëta, punëtorët raportuan se përballeshin me orare të tejzgjatura, mungesë të masave të sigurisë dhe kërcënime të vazhdueshme me pushim nga puna ose dëbim të detyrueshëm për në Indi.
Në lidhje me këtë çështje, nën hetim është vendosur edhe Ulas Demir, ndërsa hetimet po koordinohen nga njësia e Karabinierëve për mbrojtjen e punës. Prokuroria thekson se ky mekanizëm i bazuar në shfrytëzim përbën një politikë biznesi të pranuar nga subjekti nën hetim.