Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja, duke hedhur poshtë pretendimet për mungesë kapacitetesh.
Ky reagim erdhi pas raportimeve në media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, i cili zhvillohet për falsifikim të rezultateve zgjedhore gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputetë të Kuvendit në rajonin e Prizrenit. Mbi 100 persona janë arrestuar ose të ftuar për intervistim në kuadër të këtij aksioni.
Reagimi i SHKK-së
Sipas njoftimit zyrtar, në institucionet korrektuese aktualisht mbahen 1 758 të burgosur, ndërsa kapacitetet e lira përfshijnë rreth 800 shtretër. "Pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë", thuhet në reagim, i cili u bë me qëllim informimin e saktë të opinionit publik dhe parandalimin e keqinformimit.
SHKK thekson se ka marrëveshje mirëkuptimi me Policinë e Republikës së Kosovës për bashkëveprim institucional. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, varësisht nga situatat, mund të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës.
Zhvillimet në Prizren
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka paralajmëruar një konferencë për media në orën 15:00, në objektin e saj, kati i tretë, salla e takimeve, për të dhënë detaje mbi aksionin.