Sot shënohet 63-vjetori i tërmetit shkatërrues që goditi qytetin e Shkupit më 26 korrik 1963. Lëkundjet e para dhe më të fuqishme u regjistruan në orën 05:17, ndërsa lëkundje të tjera pasuan deri në orën 05:43. Si pasojë e kësaj tragjedie, 1.070 persona humbën jetën dhe rreth 3.000 të tjerë u plagosën.
Pasojat materiale ishin të rënda: 15.800 shtëpi u shembën plotësisht, ndërsa 28.000 të tjera pësuan dëmtime të ndryshme, duke lënë mbi 200.000 banorë pa kulm mbi kokë. Sipas të dhënave, tërmeti arriti magnitudën 6 shkallë sipas shkallës Rihter (disa burime specifikojnë 6.1) ose nëntë ballë sipas shkallës së Merkalit, me epiqendër në sheshin “Maqedonia”.
Pas katastrofës, u mobilizua një valë e gjerë solidariteti ndërkombëtar. Organizata të ndryshme, përfshirë Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe Unionin Ndërparlamentar, bënë thirrje për ndihma humanitare dhe përkrahje për rindërtimin e qytetit.
Kombet e Bashkuara ndërmorën veprime afatgjata për mbështetjen e Shkupit. Më 23 shtator 1963, 35 shtete kërkuan përfshirjen e kësaj çështjeje në rendin e ditës të Asamblesë së Përgjithshme. Më 27 shtator, Asambleja i dha përparësi aksionit ndërkombëtar të ndihmës, ndërsa më 14 tetor 1963 miratoi unanimisht një rezolutë për ndihmën ndaj Qeverisë jugosllave gjatë procesit të rindërtimit. Kjo datë njihet në arkivat e OKB-së si “Dita e Shkupit”.
Historia e qytetit shënohet edhe nga tërmete të tjera të mëdha, si ai i vitit 518, që shkatërroi qytetin antik të Skupit, dhe ai i vitit 1555, që e la qytetin në gërmadha.