Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë dënoi më 20 tetor aktet e dhunshme gjatë protestave të fundit dhe sulmet ndaj godinave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Në deklaratë përmenden zjarrvënia në mjediset e Gjykatës së Lartë dhe dëmtimi i dosjeve gjyqësore. Sipas Shoqatës, këto veprime rrezikojnë sigurinë e gjyqtarëve, nëpunësve gjyqësorë dhe personelit administrativ, si dhe cenojnë funksionimin normal të drejtësisë.
Shoqata tha se pengesat në veprimtarinë e gjykatave mund të sjellin pasoja konkrete për qytetarët, duke vonuar ose vështirësuar marrjen e drejtësisë. Ajo theksoi se liria kushtetuese e shprehjes dhe e tubimit nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën ndaj institucioneve apo për cenimin e sigurisë së personave që punojnë në to. Sipas deklaratës, cenimi i gjykatave dobëson mbrojtjen e lirive dhe të drejtave kushtetuese.
Shoqata ngriti shqetësimin për mungesën e masave të përshtatshme parandaluese dhe mbrojtëse nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë përgjegjësi ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Ajo tha se mbrojtja e institucioneve gjyqësore nuk duhet trajtuar si detyrë dytësore dhe se siguria e gjykatave e personelit kërkon vëmendje, planifikim dhe reagim efektiv nga autoritetet përgjegjëse. Shoqata e cilësoi garantimin e sigurisë së tyre detyrim shtetëror ndaj qytetarëve dhe interesit publik.
Një pjesë e deklaratës iu kushtua komenteve publike të kryeministrit Edi Rama për gjyqtarët që kanë shqyrtuar ose po shqyrtojnë kërkesat e prokurorisë për caktimin e masave të sigurimit ndaj protestuesve. Shoqata tha se kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e ligjshme, por nuk duhet të shndërrohet në sulm personal, delegjitimim të gjyqtarëve apo trysni publike mbi ushtrimin e detyrës. Sipas saj, deklaratat e drejtuesit të pushtetit ekzekutiv mund të krijojnë perceptimin e ndërhyrjes në vendimmarrjen e pavarur dhe të ndikojnë në besimin e publikut te drejtësia.
Shoqata theksoi se ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e masave të sigurimit i vlerësojnë gjykatat, mbi bazën e ligjit, provave dhe rrethanave të secilës çështje. Ajo u bëri thirrje institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve politikë të tregojnë vetëpërmbajtje e të respektojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Gjithashtu, kërkoi masa të menjëhershme për sigurinë e gjykatave dhe personelit, si dhe ndalimin e presionit ndaj gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës.