Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar më 4 shkurt 2026, në kuadër të debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve. Reagimi vjen pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe i bashkohet qëndrimeve të shoqatave të gjyqtarëve.
Në deklaratën zyrtare, shoqata vlerëson se debatet publike për sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuara dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.
Shoqata i bashkohet kërkesave të shoqatave të gjyqtarëve para Gjykatës Kushtetuese. Theksohet se çdo ndryshim ligjor që sjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve përbën cenim të garancive kushtetuese.
Sipas deklaratës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi është parim themelor në një shtet demokratik dhe të së drejtës. Ky parim duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme para vendimmarrjes.
Shoqata kërkon që gjykimi kushtetues, i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve, të përfundojë i pandikuar nga presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik. Ajo shpreh besim të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare dhe mbështet përpjekjet për forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e drejtësisë dhe standardet demokratike.