Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Kukës, në kuadër të operacionit policor “Koordinimi”, kanë zbardhur dy vjedhje të ndodhura në karburante.
Ngjarjet kanë ndodhur rreth orës 21:15 të datës 21 janar 2026 në autostradën “Milot-Morinë” dhe rreth orës 00:30 të datës 22 janar 2026 në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”. Dy shtetas kanë kanosur punonjësit e karburanteve me një send në dukje pistoletë, duke vjedhur shuma parash – përkatësisht xhiron e turnit – dhe në njërin rast një sasi nafte.
Si rezultat i hetimeve intensive, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit Emiljano Nikoll alias Emiljano Lleshaj, 30 vjeç, dhe Aurel Luli, 23 vjeç, të dy banues në Mamurras. Gjatë kontrollit në banesën e Aurel Lulit, shërbimet policore kanë sekuestruar një pistoletë lodër, e cila dyshohet se është përdorur për kanosjen e punonjësve.
Policia vijon punën për kapjen e tyre. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.