Mëngjesin e sotëm, një shpërthim i fuqishëm ka goditur një pikë karburanti të kompanisë Eida në zonën e Brrylit në Tiranë. Për pasojë, 3 punonjës të karburantit kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, duke sjellë shembjen e plotë të një godine njëkatëshe që ndodhej pranë biznesit.
Sipas informacioneve paraprake, njëri prej punonjësve mbeti për pak çaste i bllokuar nën rrënoja, por u shpëtua falë ndërhyrjes së shpejtë të banorëve të zonës. Forcat e Policisë, shërbimet e zjarrfikëses dhe ambulancat kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të neutralizuar rrezikun e flakëve dhe për të menaxhuar situatën, ndërsa qarkullimi i automjeteve në atë segment rrugor është bllokuar.
Lidhur me shkaqet e shpërthimit, autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të dinamikës. Raportimet fillestare sugjerojnë mundësinë e shpërthimit të një depozite karburanti ose të një bombole gazi, ndërsa po hetohet edhe ndonjë defekt teknik. Në një prej raportimeve është përmendur gjithashtu mundësia e një përplasjeje të një automjeti me strukturën e karburantit, hipotezë kjo ende e pakonfirmuar zyrtarisht. Ngjarja ka shkaktuar panik te banorët e zonës, shumë prej të cilëve kanë dalë në rrugë pas tronditjes së dëgjuar në orët e para të mëngjesit.
Përditësime
Spitali i Traumës konfirmoi se gjendja shëndetësore e tre të plagosurve është e stabilizuar. Identiteti i tyre është bërë i ditur: Vlerim Hakballa (22 vjeç), Rozart Abazi (30 vjeç) dhe Aurel Xhanaj. Autoritetet zyrtare përcaktuan se shkaku i shpërthimit ka qenë një bombol gazi që po furnizonte një automjet. Aktualisht, një fadromë po punon për heqjen e inerteve dhe pastrimin e vendngjarjes.
Drejtori i Zjarrfikësve, Shkëlqim Goxhaj, sqaroi se shpërthimi ndodhi në zyrat e biznesit dhe jo te pompat e karburantit. Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) përjashtoi zyrtarisht mundësinë e shpërthimit të rezervuarëve të karburantit. Hetimet paraprake të ISHTI-t sugjerojnë se zjarri ka nisur nga një automjet i parkuar brenda territorit të subjektit 'Skënderi G' sh.p.k.
Policia e Shtetit shoqëroi për hetim 4 persona: administratorin, menaxherin, drejtuesin teknik dhe drejtuesin e automjetit që po furnizohej me gaz. Grupi hetimor dyshon për rrjedhje gazi gjatë procesit të furnizimit, ndërsa po verifikon dokumentacionin e subjektit dhe përputhshmërinë me protokollet e sigurisë.
Hetuesit kanë ngushtuar rrethin e hetimeve pas dëshmive të punonjësve të plagosur, të cilët konfirmuan se shpërthimi ndodhi gjatë procesit të furnizimit të një automjeti me gaz. Autoritetet kanë përcaktuar tri pista kryesore: një defekt në sistemin e gazit të automjetit, një avari në pompën e furnizimit ose një rrjedhje nga një bombol gazi pranë godinës. Subjekti është në pronësi të shtetasit Frident Kuqi.