Shqipëria u asociua zyrtarisht me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmërinë Demokratike, së bashku me partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe vendet kandidate. Vendimi u mor në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian në Luksemburg, ku mori pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Takimi u bashkorganizua nga Presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së dhe Komisioni Evropian. Asociimi hap një fazë të re bashkëpunimi, duke përfshirë partnerët në punën praktike të Qendrës për t’iu përgjigjur manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion, si dhe kërcënimeve ndaj proceseve demokratike.
Vendimi u mor përpara Konferencës së 10-të Ndërqeveritare, e cila, sipas burimeve, do të shënojë mbylljen e një kapitulli tjetër negociues me BE-në. Hoxha e cilësoi asociimin si një moment të rëndësishëm për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe si shprehje konkrete të integrimit gradual. Ai përmendi sfidat, përgjigjet dhe përgjegjësitë e përbashkëta, si dhe kontributin për një Evropë më të fortë e më të qëndrueshme.
Hoxha tha se Shqipëria ka krijuar përvojë në përballimin e sulmeve kibernetike dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale, dhe se është e gatshme ta zhvillojë më tej këtë ekspertizë e ta ndajë me partnerët evropianë. Ai foli gjithashtu për manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në hapësirën informative, të njohura si FIMI, duke i cilësuar si sfidë gjithnjë e më komplekse. Sipas tij, këto ndërhyrje synojnë jo vetëm sistemet dhe institucionet, por edhe besimin dhe themelet e debatit demokratik.
Duke iu referuar konferencës ndërkombëtare për FIMI-n dhe kontekstin e zgjerimit, të organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë më 27 korrik, Hoxha theksoi nevojën për një qasje më të fuqishme dhe më të bashkërenduar në komunikimin publik. Ai tha se një përgjigje që përfshin gjithë shoqërinë mund të ketë sukses vetëm kur qytetarët janë të informuar, të ndërgjegjësuar dhe të angazhuar.
Sipas Hoxhës, kur qytetarët në Evropë shohin shtetet anëtare dhe vendet kandidate të punojnë së bashku për mbrojtjen e qëndrueshmërisë demokratike, ata e kuptojnë zgjerimin si investim të përbashkët në të ardhmen. Ai përfundoi se, për Shqipërinë, qëndrueshmëria demokratike dhe anëtarësimi në BE janë të pandashme.