Sipas raportit të fundit të Eurostat, çmimet e qumështit, vezëve dhe nënprodukteve të bulmetit në Shqipëri arritën në 135.6% të mesatares së BE27 gjatë vitit 2025. Ky nivel e rendit vendin tonë të tretin në Europë, pas Zvicrës (144%) dhe Norvegjisë (135.7%).
Në krahasim me vendet e rajonit, çmimet në Shqipëri janë dukshëm më të larta:
• Kroacia: 111.2%
• Serbia: 107.1%
• Mali i Zi: 95%
• Bosnjë-Hercegovina: 92%
• Maqedonia e Veriut: 89.6%
Trendi rritës ka qenë konstant gjatë viteve të fundit. Indeksi i çmimeve në Shqipëri është rritur nga 112.3 në vitin 2022 në 135.6 vitin e kaluar. Ndërsa në vitin 2022 vendi renditej ndër 13 shtetet me çmimet më të larta, në vitin 2024 u ngjit në vendin e pestë, për të mbërritur në pozicionin e dytë ose të tretë gjatë vitit 2025.
Ekspertët vlerësojnë se faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë shtrenjtim janë tkurrja e numrit të krerëve të blegtorisë, rritja e kostove për ushqimin e kafshëve dhe varësia nga importet. Gjithashtu, presioni mbi çmimet është shtuar nga kërkesa e lartë e shkaktuar nga flukset e turistëve, ndërkohë që prodhimi vendas ka pësuar rënie. Ndikim negativ kanë pasur edhe largimi i popullsisë nga zonat rurale dhe plakja e saj.