Në Bazën Ajrore të Farkës u zhvillua më 21 tetor ceremonia e përcjelljes së 13 efektivëve të Forcave të Armatosura, të cilët do t’i bashkohen kontingjentit të parë shqiptar të helikopterëve në misionin e NATO-s, KFOR, në Kosovë. Efektivët do të shërbejnë në bazën ushtarake amerikane Bondsteel.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, e cilësoi angazhimin si dëshmi të profesionalizmit të ushtarakëve shqiptarë dhe të përgjegjësive që Shqipëria përmbush si aleate e NATO-s. Ai tha se Forca Ajrore po zgjeron rolin e saj dhe se Forcat e Armatosura po konsolidojnë kapacitetet për të përmbushur detyra gjithnjë e më të rëndësishme në kuadër të Aleancës.
Nufi tha se misioni ka rëndësi të veçantë për Shqipërinë, për shkak të lidhjeve vëllazërore dhe historike me Kosovën, si dhe sepse siguria dhe stabiliteti i Kosovës lidhen drejtpërdrejt me paqen dhe sigurinë e Shqipërisë e të rajonit. Ai rikonfirmoi se angazhimi i Shqipërisë në KFOR mbetet i palëkundur dhe se vendi do të vijojë të përmbushë përgjegjësitë e tij në bashkëpunim me aleatët dhe partnerët.
Ministri shtoi se kontributi i Shqipërisë për sigurinë ndërkombëtare përfshin edhe operacione të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.
Në ceremoni morën pjesë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Voci, drejtues të Forcave të Armatosura dhe familjarë të efektivëve. Kingji e përshëndeti nisjen e kontingjentit dhe u uroi efektivëve shërbim të mbarë e të suksesshëm.