Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, priti në një takim zyrtar komandantin e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Vizita u zhvillua në prag të përfundimit të mandatit të komandantit Ulutaş.
Gjatë takimit, gjenerallejtënant Kingji vlerësoi punën dhe drejtimin e suksesshëm të gjeneralmajor Ulutaş në krye të misionit. Palët diskutuan mbi zhvillimet e sigurisë në Kosovë dhe rëndësinë e bashkëpunimit për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal. Nga ana e tij, Kingji ritheksoi përkushtimin e Shqipërisë dhe të Forcave të Armatosura për të vijuar përmbushjen e detyrimeve në kuadër të operacionit të NATO-s.
Sipas njoftimit të misionit të KFOR-it, gjatë takimit u diskutua gjithashtu situata e sigurisë. Gjeneralmajor Ulutaş konfirmoi përkushtimin e KFOR-it për një ambient të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Misioni vijon të veprojë në mënyrë të paanshme, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin EULEX. Transferimi i autoritetit të komandës së KFOR-it është planifikuar të realizohet më 14 tetor 2026.