Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka zhvilluar një takim lamtumirës me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Gjatë këtij takimi, palët diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe në rajon, si dhe vlerësuan bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve.
Gjenerallejtënant Jashari vlerësoi kontributin e KFOR-it për stabilitetin në vend dhe riafirmoi angazhimin e FSK-së për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit operacional dhe profesional, përmes angazhimeve të përbashkëta, shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit ndërinstitucional. Nga ana e tij, gjeneralmajor Ulutaş, i cili do ta përfundojë mandatin e tij në mesin e muajit tetor, theksoi bashkëpunimin pozitiv të shfaqur gjatë periudhës së shërbimit të tij.
Sipas njoftimit të KFOR-it, misioni vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. KFOR-i theksoi se vepron në mënyrë të paanshme për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Në përfundim të takimit, gjenerallejtënant Jashari i uroi gjeneral Ulutaşit shëndet dhe suksese në detyrat e tij të ardhshme ushtarake.