Komandanti i forcave të KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka pritur në një takim zyrtar në selinë e misionit në Camp Film City, në Prishtinë, Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Feridun H. Sinirlioglu. Në qendër të bisedimeve ishte gjendja aktuale e sigurisë në rajon dhe angazhimi i vazhdueshëm për ruajtjen e stabilitetit.
Sipas njoftimit zyrtar të KFOR-it, gjatë takimit u shqyrtuan aktivitetet dhe prioritetet kryesore të misionit, me theks të veçantë te nevoja për koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë. Gjeneralmajor Ulutash ritheksoi përpjekjet e KFOR-it për të kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë banorët e Kosovës.
Në lidhje me mandatin e tij, misioni i KFOR-it bëri të ditur se vazhdon të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Ky mandat parasheh garantimin e lirisë së lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Gjithashtu, u theksua se KFOR-i mban bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, si institucionet përgjegjëse për reagimin në fushën e sigurisë.