Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar një takim me shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes. Takimi u zhvillua në selinë e KFOR-it në “Camp Film City” në Prishtinë.
Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte diskutimi mbi situatën e sigurisë në vend dhe forcimi i bashkëpunimit mes dy misioneve. Gjeneralmajor Ulutaş shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it dhe EULEX-it, duke theksuar rëndësinë e koordinimit në përmbushjen e përgjegjësive përkatëse në fushën e sigurisë.
KFOR-i njoftoi se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Ky mision synon të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët, si dhe të garantojë lirinë e lëvizjes. Në ushtrimin e këtij mandati, KFOR-i vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me EULEX-in, të cilët janë mekanizmat e reagimit në fushën e sigurisë.
Përditësime
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, priti në selinë e misionit në Prishtinë Përfaqësuesin Special të BE-së dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dirk Schüble. Palët diskutuan për situatën aktuale të sigurisë dhe intensifikimin e koordinimit ndërmjet KFOR-it dhe Zyrës së BE-së.