Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), gjeneralmajori Ozkan Ulutaş, priti në një takim zyrtar në selinë e KFOR-it, në Camp Film City në Prishtinë, gjenerallejtënantin Laurent Michaud, shef i Komandës së Operacioneve të Përbashkëta dhe zëvendësshef i Forcave të Armatosura të Zvicrës.
Gjatë bisedimeve, palët shkëmbyen vlerësime mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë. Gjeneralmajori Ulutaş rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për vazhdimin e misionit në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, duke theksuar qasjen e misionit për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe transparente.
Në përmbyllje të këtij takimi, komandanti i KFOR-it shprehu mirënjohjen për kontributin afatgjatë dhe të rëndësishëm që Zvicra jep në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë.