Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në Agia Galini të rajonit Rethymno në ishullin e Kretës, ku një 58-vjeçar shqiptar është sulmuar me thikë në banesën e tij. Sipas autoriteteve, i plagosuri, i cili jeton prej vitesh në zonë me familjen, ka marrë dy goditje me thikë në zonën e barkut.
Pas ndërhyrjes fillestare në Qendrën Shëndetësore të Moires, ku mori ndihmën e parë, i dëmtuari u transferua me ambulancë për në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Heraklionit (PAGNI) për trajtim të specializuar, i shoqëruar nga një mjek.
Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe ka shpallur në kërkim një 17-vjeçar si të dyshuar për kryerjen e sulmit. Motivet që çuan në konflikt ende mbeten të paqarta. Ndërsa burime të ndryshme konfirmojnë dinamikën e ngjarjes, media si Vizion Plus dhe Klan Kosova raportojnë se gjendja e të plagosurit është kritike për shkak të hemorragjisë së rëndë.