Një shtetase e huaj është duke marrë trajtim mjekësor në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi është diagnostikuar me sëmundjen e malaries. Pacientja ishte paraqitur për ndihmë mjekësore më 1 gusht 2026 në gjendje të rëndë shëndetësore, pa vetëdije dhe me parametra vitalë e laboratorikë të çrregulluar. Pas ekzaminimeve klinike dhe vlerësimit epidemiologjik, u konstatua se ajo kishte udhëtuar së fundmi në vende ku malaria është endemike. Pas konfirmimit të diagnozës, pacientja i është nënshtruar trajtimit specifik antimalarik. Sipas njoftimit të datës 5 gusht 2026, gjendja shëndetësore e saj është stabilizuar, ajo komunikon lirshëm dhe parametrat e saj po kthehen gradualisht në vlera normale.
Autoritetet shëndetësore kanë sqaruar se malaria nuk transmetohet përmes kontaktit të zakonshëm mes njerëzve, por kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Deri më tani, në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast i transmetimit lokal të kësaj sëmundjeje. Sipas të dhënave të mbikëqyrjes epidemiologjike, gjatë periudhës 2022–2025 në Kosovë janë raportuar tetë raste të malaries, të gjitha të importuara nga persona që kishin udhëtuar ose kishin ardhur nga vende të kontinentit afrikan.
Këshillat e ekspertëve për udhëtarët
Në lidhje me këtë rast, infektologu Gramoz Bunjaku ka dhënë këshilla për qytetarët që planifikojnë udhëtime në zona endemike:
- Udhëtimi në vendet me malarie duhet të fillojë me një konsultë te specialisti i sëmundjeve infektive.
- Mos u nisni pa profilaksën e duhur, pasi malaria mund të shndërrohet në një urgjencë kërcënuese për jetën brenda pak orësh.
- Në Kosovë, terapia e linjës së parë për malarien e rëndë (artesunate intravenoz) mund të mos jetë gjithmonë e disponueshme menjëherë.
- Parandalimi është trajtimi më i mirë, ndaj një konsultë para udhëtimit mund t’ju shpëtojë jetën.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në vitin 2025, malaria mbetet endemike në 83 vende dhe territore të botës.
Përditësime
Infektologu Visar Gashi shpjegoi se temperatura periodike e pacientes lidhet me ciklin e riprodhimit të parazitit në eritrocite. Mjekët e QKUK-së theksuan se shfaqja e temperaturës pas kthimit nga zona endemike është treguesi kryesor për dyshimin ndaj malaries, duke mundësuar identifikimin e shpejtë të patogjenit dhe trajtimin e specializuar.
Është përkeqësuar gjendja shëndetësore e shtetases së huaj të diagnostikuar me malarie, duke bërë të domosdoshëm transferimin e saj në Mjekimin Intensiv të QKUK-së. Drejtoresha e Klinikës Infektive, Vera Berisha-Ndrejaj, konfirmoi se pacientja po shfaq komplikime të rënda neurologjike, duke e cilësuar rastin si një ndër më seriozët e viteve të fundit. Zyrtari i IKSHPK-së, Faik Hoti, u ka bërë thirrje qytetarëve që udhëtojnë drejt zonave endemike të tregojnë kujdes të shtuar dhe të konsultohen me mjekët specialistë për masat parandaluese.