Seanca e radhës në GJKKO për çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk u zhvillua për shkak të mungesës së një avokati mbrojtës të njërit prej të pandehurve të tjerë në proces, për arsye shëndetësore. Lajmi u konfirmuar nga mbrojtja e zotit Veliaj përmes një deklarate për mediat.
Avokati Plarent Ndreca shprehu shqetësimin mbi qasjen e prokurorisë, duke e cilësuar si një trysni të pajustifikuar për të përshpejtuar procesin gjyqësor. Sipas mbrojtjes, një nxitim i tillë është në kundërshtim me standardet profesionale, sidomos duke pasur parasysh volumin e madh të dosjes hetimore, e cila kap shifrën e 60 mijë faqeve. Në këtë kontekst, Ndreca sqaroi se një profesionist mund të përpunojë cilësisht rreth 180 faqe në ditë, duke e bërë të pamundur shqyrtimin e përshpejtuar të dokumentacionit.
Mbrojtja theksoi gjithashtu se kërkesa për gjykim e dorëzuar nga akuza përmban 565 faqe, e cila u është vënë në dispozicion palëve mbrojtëse vetëm së fundmi. Në deklaratën e tij, avokati Ndreca ritheksoi se qëllimi i mbrojtjes mbetet sigurimi i një procesi të drejtë dhe transparent, duke shprehur pritshmërinë që prokuroria të veprojë në bashkëpunim me gjykatën dhe palët e tjera, në përputhje me normat kushtetuese dhe konventore.