Seanca gjyqësore për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e zhvilluar në GJKKO, u shty sërish për në datën 3 prill, ora 09:00. I pandehuri Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim në Durrës që prej 10 shkurtit 2025, nuk u paraqit fizikisht në sallë, por u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca. Në një shkresë drejtuar gjykatës, Veliaj bëri me dije se është duke lexuar dosjen dhe synon të paraqitet në seancat e ardhshme.
Gjatë procesit, avokati i të pandehurit Fatmir Bektashi, Sokol Hazizaj, kërkoi ndarjen e çështjes për klientin e tij. Prokurori i SPAK, Ols Dado, e kundërshtoi kërkesën duke e cilësuar si një strategji për shtyrjen e procesit, me argumentin se prej 8 muajsh gjykata nuk ka mundur të hyjë në shqyrtimin e themelit. Nga ana tjetër, avokati Ndreca u shpreh se synimi i mbrojtjes është një proces i rregullt ligjor dhe jo zvarritja e seancave.
Në seancë munguan edhe palë të tjera, ndër të cilat Ajola Xoxa dhe ish-deputetja Klotilda Bushka, të cilat u përfaqësuan nga mbrojtësit e tyre. Për të pandehurin Fatjon Baci, për shkak të mungesës së avokatit Artan Simoni, gjykata vendosi t'i caktojë një mbrojtëse të re, avokaten Pranvera Doci, dhe urdhëroi shoqërimin e detyrueshëm të të pandehurit në seancën e ardhshme.