Seanca gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, nuk u zhvillua këtë të martë në GJKKO. Shkak për shtyrjen e procesit u bë mungesa e avokatit të Veliajt, Plarent Ndreca, i cili njoftoi gjykatën se ishte në pamundësi për të marrë pjesë për shkak të angazhimeve në një tjetër proces civil pranë Gjykatës Civile të Tiranës.
Prokurori i SPAK, Ols Dado, e cilësoi mungesën si të pajustifikuar dhe kërkoi gjobitjen e avokatit, caktimin e një mbrojtësi kryesisht për Veliajn, si dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për këtë të fundit. Trupa gjykuese pranoi kërkesat e prokurorisë, duke vendosur gjobën prej 50 mijë lekësh për Ndrecan dhe duke emëruar avokaten Valentina Teodoresku si mbrojtëse kryesisht.
Lidhur me pozitën e Ajola Xoxës, gjykata rrëzoi pretendimet e mbrojtjes për pamundësi pjesëmarrjeje për shkaqe shëndetësore. Avokati i saj, Gurali Braimllari, argumentoi se gjendja e klientes vijon të mbetet e pandryshuar pas konsultave mjekësore, mirëpo gjykata vlerësoi se raporti mjekësor i paraqitur nuk përbën shkak ligjor për shfajësim. Për rrjedhojë, procesi ndaj saj do të vijojë në mungesë.
Seanca e ardhshme për këtë dosje, në të cilën Veliaj akuzohet për përfshirje në një skemë korrupsioni dhe pastrim parash, është caktuar të mbahet më 15 shtator.
Përditësime
GJKKO ka marrë vendime të reja procedurale në seancën e sotme ndaj Erion Veliajt:
- Gjykata rrëzoi kërkesat e mbrojtjes për transmetimin live të seancave dhe për ndryshimin e masave të sigurisë, duke mbajtur në fuqi qëndrimin e të pandehurit brenda kafazit të qelqtë.
- SPAK kundërshtoi kërkesën e avokates Ajola Xoxa për shtyrje të procesit me 2 muaj për arsye shëndetësore, duke argumentuar se raporti mjekësor i dorëzuar nuk vërteton paaftësinë e saj për të marrë pjesë në seancë.