Ka nisur sot, më 7 korrik, seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj nuk është paraqitur fizikisht në sallë, pasi ka refuzuar të qëndrojë në kafazin e xhamtë, një kërkesë e cila është rrëzuar më herët nga gjykata. Përmes një deklarate drejtuar trupit gjykues, Veliaj ka bërë të ditur se është në dijeni për procesin dhe ka kërkuar që të përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca, i cili ishte i pranishëm në seancë.
Në proces mungon edhe e pandehura Ajola Xoxa, e cila përfaqësohet nga avokatët e saj. Në sallën e gjyqit është i pranishëm i pandehuri Valmir Xoxa, ndërsa procesin po e ndjekin prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani dhe Ols Dado.
Lidhur me qëndrimin në kafazin e xhamtë, prokurori Ols Dado argumentoi se kjo masë është e domosdoshme për të garantuar sigurinë gjatë procesit dhe nuk përbën trajtim poshtërues. Ndaj kryebashkiakut Veliaj rëndojnë 13 akuza, ndërsa gjykata më herët ka refuzuar kërkesën e tij për transmetim live të seancave.