Përfaqësues të Federatës Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës u takuan të enjten me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, për të diskutuar nivelin e pagave minimale për punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që punojnë në këtë institucion.
Në takim morën pjesë gjithashtu sekretari i rektoratit dhe drejtori i prokurimit. Takimi u kërkua nga sindikata për të trajtuar shqetësimet lidhur me pagat e këtyre punëtorëve.
Sipas njoftimit të sindikatës, kryetari Jusuf Azemi bëri të ditur se takimi nuk përfundoi sipas pritjeve. Sindikata pretendon se rektori Hajrullahu u largua pa e mbyllur zyrtarisht, i frustruar sepse mediat kishin shpërndarë realitetin e situatës, çka ai e interpretoi si shantazh.
Rektori theksoi se çështja e pagave duhet të adresohet te kompania kontraktuese dhe jo te rektorati. Ai shtoi se universiteti nuk mund të ndërhyjë në këtë proces deri në përfundimin e kontratës aktuale, e cila pritet të zgjasë deri në vitin 2027.
Sindikata ka njoftuar Inspektoratin e Punës për pretendimet e moszbatimit të pagës minimale dhe pret publikimin së shpejti të një raporti zyrtar nga ky institucion.
Rektorati i Universitetit të Prishtinës nuk ka dhënë ende përgjigje ndaj këtyre pretendimeve.