Pas reshjeve të pandërprera të shiut gjatë natës, situata në Komunën e Vitisë paraqitet stabile dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme.
Ushtruesi i detyrës i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Naser Haziri, ka bërë të ditur se Njësia e Zjarrfikësve ndodhet vazhdimisht në terren dhe, në bashkëpunim me stafin e drejtorisë, po ndërmerr masa për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
Intervenimi është kryer në rrugën Viti–Letnicë, ku për shkak të reshjeve kishte ndodhur shembja e dheut. Pas ndërhyrjes së shpejtë, rruga është e qarkullueshme dhe situata është nën kontroll.
Autoritetet komunale bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat ku uji ka depërtuar në rrugë. Kujdes i veçantë kërkohet në fshatin Ramnishtë dhe në rrugën Skifteraj–Radivojc, ku është vërejtur prani e ujit në segmente rrugore.
Ekipet kompetente mbeten në gatishmëri për çdo situatë eventuale.