Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e sotme në zonën e Shkozetit, duke mbuluar hapësirën përreth me një re të dendur tymi të zi. Objekti i përfshirë nga flakët raportohet se ka shërbyer si magazinë për fishekzjarre dhe oxhaqe. Për shkak të rrezikut të lartë dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve, autoritetet kanë ndërprerë qarkullimin e automjeteve në disa akse kryesore, duke përfshirë Unazën e qytetit të Durrësit, mbikalimin e Shkozetit, segmentin rrugor “Martin Camaj” në drejtim të Plepave, si dhe segmentin rrugor Kavajë-Durrës.
Në operacionin për shuarjen e flakëve janë përfshirë gjashtë mjete zjarrfikëse nga Durrësi, Porti i Durrësit dhe Shijaku. Për shkak se objekti ndodhet poshtë linjave të tensionit të lartë, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike, duke lënë nënstacionin e Shkozetit jashtë funksionit. Sipas të dhënave zyrtare, nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në banesat përreth.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjen në këto segmente dhe të përdorin rrugë alternative deri në normalizimin e plotë të situatës. Grupet e punës vazhdojnë të jenë në terren për menaxhimin e flakëve dhe zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.