Situata nga zjarret në zonat malore të vendit mbetet shqetësuese, ku vatrat aktive po përballen me vështirësi të shtuara për shkak të terrenit të thyer dhe erërave të forta. Në Bashkinë Mat, zjarri në zonën e Trodhenit, në Njësinë Administrative Ulëz, ka dalë jashtë kontrollit. Flakët, të cilat fillimisht përfshinë një sipërfaqe me pisha të zeza, kërcënojnë tashmë banesat në fshatin Lundre, si dhe disa stane në zonën përreth. Sipas nënprefektit të Matit, Hasan Pasha, në operacionin e shuarjes janë angazhuar rreth 90 forca, përfshirë zjarrfikësit e Burrelit, punonjës të bashkisë dhe të shërbimit pyjor, ndërsa ndërhyrja nga ajri është bërë e domosdoshme për shkak të pamundësisë së lëvizjes së mjeteve tokësore.
Paralelisht, në Bashkinë Bulqizë, vatra në zonën e Vajkalit vazhdon të jetë aktive, duke u shtrirë drejt Fushë-Hutrës. Përpjekjet për izolimin e flakëve po vijojnë prej 3 ditësh me mbështetjen e një helikopteri të Forcës Ajrore dhe 30 forcave operacionale bashkiake. Autoritetet vendore kanë njoftuar se në të dyja bashkitë, zjarret dyshohet të jenë të qëllimshme, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm.
Përditësime
Flakët në Bashkinë Mat janë përhapur në fshatrat Madhesh, Trodhë dhe Lundre, duke vështirësuar më tej ndërhyrjen e forcave operacionale për shkak të mungesës së rrugëve automobilistike. Për pasojë, një fermë lopësh është rrezikuar, ndërsa disa krerë bagëti janë shpërndarë dhe rezultojnë të humbura. Në Bulqizë, autoritetet njoftuan shuarjen e vatrës në Ballenjë të Martaneshit falë reshjeve të shiut, por raportuan vatra të reja në Sllatinë dhe Qafë Helmes.
Situata e zjarrit në Madhesh është përkeqësuar, duke dalë totalisht jashtë kontrollit si pasojë e erërave të forta dhe terrenit me bimësi të tharë. Autoritetet kanë shtuar forcat në terren, duke angazhuar trupat e Mbrojtjes Civile për t'iu bashkuar operacionit të shuarjes. Për sa i përket ndërhyrjes nga ajri, helikopterët kanë vijuar operacionet gjatë dy ditëve të fundit në zonën e Ulzës për të izoluar vatrat e rrezikshme.