Autoritetet shqiptare vijojnë operacionet intensive për shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë disa qarqe të vendit. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë së mërkurës janë raportuar gjithsej 25 vatra zjarri, ndërsa 8 prej tyre mbeten ende aktive dhe në monitorim të vazhdueshëm.
Situata kritike në Mallakastër
Bashkia Mallakastër vijon të përballet me situatën më të rëndë, veçanërisht në masivin pyjor të Lofkendit. Flakët, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, janë përhapur në drejtim të fshatrave Riban, Ngraçan, Panahor, Çyçen, Cfir, Drenie dhe Vlosht. Mëngjesin e kësaj të enjteje ka rinisur ndërhyrja nga ajri me helikopterë për të frenuar avancimin e zjarrit.
Në operacionin në terren janë angazhuar:
• 4 mjete zjarrfikëse;
• 25 efektivë të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit;
• 30 punonjës të forcave bashkiake;
• 50 trupa të Forcave të Armatosura.
Zhvillimet në qarqe të tjera
Në qarkun e Elbasanit, situata në fshatin Mjekës dhe në Shqiponjë të bashkisë Prrenjas është vënë nën kontroll. Ndërkohë, vatra në Malin e Dardhës (bashkia Librazhd) mbetet aktive, ku prej tetë ditësh forcat operacionale po punojnë për izolimin e flakëve që kanë përshkuar rreth 6 hektarë sipërfaqe pyjore.
Ndërkohë, në bashkitë Libohovë dhe Dropull po monitorohen vatrat në zonat malore, ndërsa në Selenicë, zjarri në Penkovë është shuar plotësisht, pas djegies së dy hektarëve pyll dhe 40 automjeteve të braktisura. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka theksuar se për momentin nuk ka rrezik për zonat e banuara dhe ka bërë apel për kujdes maksimal, duke kujtuar se zjarrvënia është vepër penale.
Përditësime
Situata në zonën e Panahorit mbetet kritike për shkak të intensitetit të lartë të flakëve. Terreni i vështirë dhe masivet me pisha në Rriban e kanë bërë ndërhyrjen tokësore të pamundur. Për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt pyjeve në Ndrenie dhe Vlosht, autoritetet e Mbrojtjes Civile kanë kërkuar ndërhyrje urgjente me të paktën dy helikopterë.
Në ditën e tretë të operacionit në Mallakastër, forcat operacionale kanë neutralizuar vatrën e zjarrit në Panahor-Cfir. Situata në Ngraçan, Rriban dhe Drenie është nën kontroll të plotë. Për izolimin përfundimtar të vatrave, Bashkia Mallakastër ka përforcuar terrenin me ekipe zjarrfikëse nga Fieri dhe Patosi.
Situata e zjarreve në Mallakastër mbetet kritike, me operacione intensive për izolimin e flakëve. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, njoftoi angazhimin e dy helikopterëve për mbështetje nga ajri. Kryetari i Bashkisë, Qerim Ismailaj, deklaroi se fokusi kryesor i ekipeve në terren është mbrojtja e banesave, ndërsa operacionet po përqendrohen në dy fronte kryesore: zonën Panahor-Sfirë dhe kufirin me Patosin. Ndërkohë, vatra në Drenije mbetet ende aktive dhe problematike për forcat operacionale.
Situata në masivin pyjor të Drenijës është përkeqësuar për shkak të erërave të forta, të cilat po vështirësojnë ndjeshëm operacionet e shuarjes. Pas neutralizimit të plotë të vatrave në Ngrëçan, autoritetet e Mbrojtjes Civile kanë përqendruar ndërhyrjen e mjeteve ajrore në zonën e Drenijës.
Situata në Mallakastër mbetet kritike këtë pasdite, me flakët që po përhapen drejt fshatit Vlosh. Operacionet për shuarjen e zjarrit përqendrohen në vijën Lofkënd-Drenije, ku forcat tokësore po ndërhyjnë në terren. Pas ndërprerjes së përkohshme për shkak të erërave të forta, mbështetja nga ajri ka rifilluar për të ndihmuar ekipet operacionale.
Vijon beteja me zjarret në Mallakastër, ku situata paraqitet ende kritike. Forcat zjarrfikëse të Patosit kanë ndërprerë operacionin në Drenije për shkak të errësirës, me plan për ta rifilluar në orën 06:00. Ndërkohë, autoritetet konfirmojnë se vatra në Panahor-Ngraçan vijon të jetë aktive, duke hedhur poshtë pretendimet e mëparshme për neutralizimin e saj.
Situata e zjarreve në Mallakastër mbetet kritike, me flakët që po avancojnë drejt fshatit Vlosh dhe rrezikojnë zonat e banuara. Pas ndërprerjes gjatë natës për shkak të kushteve atmosferike, autoritetet kanë rinisur ndërhyrjen nga ajri me helikopterë, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë për të frenuar përhapjen e vatrës.