Situata e zjarreve në Njësinë Administrative Ulëz mbetet kritike, me flakët që kanë përfshirë një perimetër prej rreth 5 kilometrash. Zjarri është shtrirë në pyjet përreth fshatrave Madhesh dhe Lundre, ku era e fortë dhe bimësia e thatë po favorizojnë përhapjen e shpejtë drejt zonave të banuara.
Në operacionin e shuarjes janë angazhuar dhjetëra efektivë nga shërbimi zjarrfikës, shërbimi pyjor, mbrojtja civile, Forcat e Armatosura dhe vullnetarë të shumtë. Pavarësisht angazhimit të këtyre forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes, situata mbetet e vështirë. Tymi i dendur që ka mbuluar zonën po kufizon fushëpamjen dhe po e bën të rrezikshme ndërhyrjen e ekipeve operuese, duke sjellë rrezik për asfiksim.
Për shkak të afrimit të rrezikshëm të flakëve pranë banesave, autoritetet kanë njoftuar se evakuimi i familjeve të zonave të rrezikuara pritet të ndodhë në çdo moment. Përpjekjet vijojnë për të mbajtur nën kontroll përhapjen e zjarrit dhe për të mbrojtur banesat e zonës, si dhe gjënë e gjallë.