Një zjarr i përmasave të mëdha ka prekur Bashkinë e Himarës mbrëmjen e së premtes, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Flakët, të favorizuara nga era e fortë, nisën në zonën pranë bypass-it dhe u përhapën me shpejtësi drejt zonave të banuara. Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Himarë, Pervin Gjikuria, deklaroi se zjarri mori përmasa të pakontrollueshme brenda 20 minutash.
Sipas të dhënave zyrtare, zjarri shkaktoi dëme në infrastrukturën banesore, ndërsa grupet e punës vijojnë evidentimin e dëmeve në terren. Përveç banesave të prekura, flakët kanë dëmtuar mijëra rrënjë ulliri dhe rreth 40 koshere bletësh. Problematika janë konstatuar gjithashtu në rrjetin elektrik dhe atë të ujësjellësit, ku mbi 95% e furnizimit me ujë është rikuperuar.
Operacioni i shuarjes ka qenë intensiv, duke angazhuar 21 mjete zjarrfikëse dhe mbi 300 trupa ndihmëse. Monitorimi gjatë natës është kryer edhe nëpërmjet dronit “Bayraktar”. Me zbardhjen e ditës, ndërhyrjes nga toka iu bashkua edhe ajo nga ajri me helikopterë, gjë e cila ka ndihmuar në vënien e situatës nën kontroll. Ndërkohë, autoritetet bëjnë me dije se zonat e banuara nuk janë më nën kërcënim të drejtpërdrejtë dhe vatrat e mbetura ndodhen në zona të izoluara.
Përditësime
Policia e Shtetit shoqëroi një çoban si të dyshuar për shkaktimin e zjarrit. Bilanci i dëmeve përfshin 6 banesa të prekura, nga të cilat 3 janë të banuara dhe 3 të pabanuara. Autoritetet evakuan 36 banorë për masa sigurie. Operacioni në terren vijon me 170 efektivë. Situata në zonën e Fotamës është neutralizuar, ndërsa ekipet po përqendrohen në shuarjen e vatrave në Kodrën e Pilurit.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi zyrtarisht përfundimin e operacionit të shuarjes së zjarrit në Himarë. Autoritetet konfirmuan se të gjitha vatrat janë neutralizuar dhe zona nuk paraqet më rrezik aktiv.
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi identifikoi Lagjen Nr. 1 si vatrën ku nisi zjarri. Ai konfirmoi se erërat e forta shërbyen si faktori kryesor për përhapjen e shpejtë të flakëve në zonë. Ekipet e shpëtimit operuan në kushte komplekse për të kryer evakuimet e detyruara, ku përfshiheshin edhe shumë turistë që ndodheshin në zonë.