Zjarri që përfshiu kodrat e qytetit të Himarës në mbrëmjen e së premtes, 4 shtator, rreth orës 19:40, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Kryetari i Bashkisë, Vangjel Tavo, bëri të ditur se nga flakët janë shkrumbuar gjithsej 6 banesa, ku tri prej tyre ishin të banuara dhe tri të tjera të pabanuara. Përveç godinave, zjarri dëmtoi edhe një zonë të mbjellë me ullinj shumëvjeçarë.
Sipas Tavos, ndërhyrja në vatrën fillestare u vështirësua nga terreni i thyer, ndërsa flakët u përhapën shpejt drejt lagjes “1 Maji”. Për mbrojtjen e banorëve, Bashkia ndërmori masa të menjëhershme evakuimi. Për strehimin e përkohshëm të qytetarëve dhe turistëve, u përgatit palestra e shkollës së mesme me shtretër, ndonëse shumica e të evakuuarve preferuan të sistemoheshin pranë të afërmve. Tavo ka garantuar se të gjitha dëmet materiale do të dëmshpërblehen, ndërsa ullishtet e dëmtuara do të rimbillen.
Lidhur me shkaqet e ngjarjes, kryebashkiaku theksoi se hetimi zyrtar i takon Policisë dhe Prokurorisë, duke shprehur rezerva ndaj çdo vlerësimi të parakohshëm. Ai hodhi poshtë zërat që lidhin zjarrin me të ashtuquajturën “Paketë të Maleve”, duke i cilësuar këto pretendime si të pabaza, pasi sipërfaqet e djegura me ullinj janë ndarë me AMTP dhe përjashtohen nga kjo paketë. Aktualisht, Bashkia e Himarës disponon gjashtë mjete zjarrfikëse dhe një autobot, të cilat kryebashkiaku i cilësoi si të mjaftueshme dhe bashkëkohore për përballimin e situatave të tilla. Ekipet në terren vijojnë ende punën për evidentimin e plotë të dëmeve të shkaktuara.
Përditësime
Autoritetet kanë saktësuar bilancin e banesave të prekura nga zjarri në Himarë, duke konfirmuar se nga gjashtë objektet e dëmtuara, vetëm një ka qenë e banuar në momentin e ngjarjes, ndërsa pesë të tjerat kanë qenë të pabanuara. Hetimet në terren evidentuan gjithashtu shkatërrimin e një parku bletësh me 40 koshere. Operacioni për shuarjen e flakëve po vijon përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional mes Bashkisë së Himarës, Prefekturës së Vlorës dhe bashkive të tjera të qarkut.