Zjarri që përfshiu zonën e Potamit, në lagjen “1 Maj” të Himarës, u shua plotësisht më 5 shtator, rreth orës 16:30, pasi kishte nisur një ditë më parë rreth orës 19:20. Sipas të dhënave zyrtare të Prefekturës së Vlorës, zjarri shkaktoi dëme në linjat e furnizimit me energji elektrike dhe ujë, të cilat u riparuan gjatë pasdites nga ekipet e OSHEE Vlorë dhe SHAUK Vlorë.
Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan Forcat e Armatosura, MZSH, Policia, strukturat bashkiake, si dhe shërbime të tjera mbështetëse. Për ndërhyrjen nga ajri u përdorën dy helikopterë Cougar. Përkohësisht u evakuuan 36 persona, ndërsa një grua mori ndihmë mjekësore pas asfiksisë nga tymi dhe u largua nga spitali.
Autoritetet bënë me dije se shkaku i zjarrit dyshohet të jetë i qëllimshëm, duke çuar në shoqërimin e 3 shtetasve për verifikime të mëtejshme. Prefektja e Vlorës, Evis Allushi, së bashku me zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ndoqën nga afër situatën në terren për të koordinuar punën e strukturave të angazhuara.
Ndërkohë, vijon monitorimi i zonës për parandalimin e riaktivizimit të vatrave. Operacioni u përqendrua si në zonën e Potamit ashtu edhe në kodrën e Pilurit.