Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, mori pjesë në tryezën për vijimin dhe zgjerimin e Task Forcës së Përbashkët kundër Migracionit të Parregullt, zhvilluar në Maqedoninë e Veriut. Gjatë këtij takimi, Hita theksoi se migracioni i parregullt është i lidhur ngushtë me veprimtarinë e grupeve kriminale, trafikimin e qenieve njerëzore, falsifikimin e dokumenteve, pastrimin e parave dhe format e tjera të krimit të organizuar transnacional.
Sipas Hitës, Task Forca shërben si një mekanizëm efektiv që mundëson shkëmbimin e informacionit, ekspertizës dhe veprimeve operacionale të përbashkëta. Ai vlerësoi punën e deritanishme të këtij mekanizmi, i cili u themelua në vitin 2023 në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe u zgjerua më vonë me pjesëmarrjen e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Në fjalën e tij, Hita propozoi formalisht zgjerimin e këtij mekanizmi rajonal, duke ftuar Greqinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën që t'i bashkohen si anëtare me të drejta të plota. Sipas tij, ky hap është i nevojshëm për të konsoliduar bashkëpunimin kundër krimit të organizuar transnacional dhe për të forcuar kapacitetet operacionale të policive të vendeve përkatëse.