Projekti Smart City, i cilësuar si një nga investimet strategjike për modernizimin e sigurisë publike, zë një vend të rëndësishëm në projektbuxhetin e vitit 2027 të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për realizimin e tij parashikohen rreth 2 miliardë lekë financim i huaj dhe rreth 1 miliard lekë për mbulimin e TVSH-së, krahas fondeve të tjera për mbikëqyrjen dhe kostot lokale.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ministri Ervin Demo tha se investimi synon të rrisë kapacitetet teknologjike të Policisë së Shtetit, duke përmirësuar monitorimin, parandalimin dhe administrimin e sigurisë publike.
“Teknologjia duhet të na ndihmojë të rrisim aftësinë parandaluese, të përmirësojmë reagimin operacional dhe të përdorim më mirë burimet njerëzore. Smart City është një investim që synon t’i japë Policisë së Shtetit mjete dhe kapacitete të reja për t’iu përgjigjur më shpejt dhe më me efikasitet sfidave të sigurisë publike”, u shpreh Demo.
Ministri nënvizoi se zhvillimi teknologjik duhet të ecë paralelisht me garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, veçanërisht me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë. Sipas tij, modernizimi duhet të shoqërohet me garanci të qarta ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale, privatësinë dhe kontrollin institucional. Ai tha se teknologjia duhet të jetë instrument në shërbim të sigurisë së qytetarëve, jo qëllim në vetvete.
Sipas përshkrimit të projektit, synohet forcimi i kapaciteteve institucionale dhe operacionale, duke e vendosur teknologjinë në funksion të parandalimit dhe reagimit, si dhe të krijimit të një mjedisi më të sigurt për qytetarët.