Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka paralajmëruar se grupe të lidhura me Iranin mund të kenë në shenjestër opozitën iraniane në Shqipëri ose subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara.
Në emisionin Frontline, juristi Kreshnik Spahiu deklaroi se qeveria shqiptare duhet të përgjigjet këtij paralajmërimi duke nisur edukimin e shoqërisë për reagim në rast sulmesh ushtarake apo terroriste. Sipas tij, shqiptarët kanë humbur reflekset e reagimit në një skenar lufte pas më shumë se tre dekadash.
Spahiu rikujtoi shpalljen e Iranit si shtet sponsor të terrorizmit nga Kuvendi i Shqipërisë. Ai propozoi që Presidenti me ligj t’i heqë shtetësinë çdo shqiptari që bashkëpunon me regjimin e Teheranit. "Qeveria shqiptare nuk duhet të bëjë as atë që bën Irani, as atë që bën Amerika, por atë që bën Europa", tha ai, duke theksuar se Shqipëria, si shtet europian dhe anëtar i NATO-s, duhet të pozicionohet.
Ai vlerësoi se Shqipëria nuk rrezikohet nga luftë frontale, por nga atentate specifike, si survejimi i disidentëve politikë iranianë. Spahiu kritikoi kapacitetet e dobëta të shtetit për reagim:
- mungesë zjarrfikësish për ndërtesa të larta;
- mungesë shkallësh emergjence në hotele e kulla;
- mungesë mjetesh shpëtimi në qendra tregtare;
- mungesë bllokesh betoni në sheshe publike për pengim të makinave me eksplozivë.
Juristi kërkoi futjen e kulturës ushtarake te populli, studentët dhe qytetarët për përgatitje civile ndaj aktesh terroriste.