Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi përfundimin e hetimeve paraprake për procedimin penal nr. 147/1 të vitit 2023, duke dërguar për gjykim 11 persona. Grupi akuzohet për përfshirje në veprimtari të paligjshme të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike drejt Finlandës.
Sipas dokumentacionit të prokurorisë, të pandehurit akuzohen për role të ndryshme në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Personat e marrë si të pandehur janë:
• Besnik Spata
• Ermelind Pupa (alias Ermelind Myzyri)
• Erind Agalliu (alias Erind Teneqexhiu)
• Geraldo Seferaj
• Dorjan Luzaj
• Kevin Qevani (alias Bojken Qevani)
• Toni Kota
• Eltion Myftari
• Ledjon Hoxha
• Altin Musta
• Nikollaq Godo (i akuzuar për moskallëzim krimi)
Akuzat kryesore ndaj tyre përfshijnë "Prodhim dhe shitje e narkotikëve", "Trafikim i narkotikëve", "Grup i strukturuar kriminal" dhe "Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal", në bazë të neneve përkatëse të Kodit Penal. Çështja tashmë i është kaluar për shqyrtim Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila do të vendosë mbi vijimin e procesit gjyqësor për secilin prej të pandehurve.
Përditësime
Hetimi ndaj grupit kriminal u zhvillua në kuadër të një Skuadre të Përbashkët Hetimore me Policinë Finlandeze, të krijuar më 21 nëntor 2023. Autoritetet përdorën metoda speciale si përgjimi dhe vëzhgimi, duke mundësuar shkëmbimin e informacionit në kohë reale për trafikimin e kanabisit, kokainës, amfetaminës dhe ekstazisë. Ky procedim, i regjistruar me numër 147/1, u shkëput nga një dosje hetimore më e gjerë e vitit 2023. Disa nga 11 të pandehurit rezultojnë me precedentë penalë dhe dënime të mëparshme në Finlandë për veprimtari të ngjashme kriminale.
SPAK ka detajuar akuzat ndaj 11 personave të përfshirë në një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës drejt Finlandës. Prokuroria ka individualizuar përgjegjësitë penale për Besnik Spatën dhe Ermelind Pupën, për të cilët kërkon gjykimin në bazë të neneve 283/a, 284/a dhe 333/a të Kodit Penal, që sanksionojnë trafikimin e narkotikëve dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.