Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet mbi skandalin te Spitali Onkologjik, duke dërguar dosjen për seancë paraprake në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Në qendër të hetimeve, të udhëhequra nga prokurori Elvin Gokaj, janë tre persona të shpallur të pandehur: mjeku onkolog Edmond Gashi, koordinatori Emiljano Lela dhe Mustafa Xhepmetaj, ky i fundit i dyshuar si personi që ka korruptuar mjekët.
Sipas gjetjeve hetimore, mjeku Edmond Gashi, në bashkëpunim me kolegë të tjerë, dyshohet se orientonte pacientët e diagnostikuar me kancer drejt shërbimeve mjekësore në një klinikë private, e cila rezulton të jetë në pronësi të babait të tij, Halil Gashi. Pacientët dërgoheshin në këtë klinikë për vizita, biopsi apo ndërhyrje kirurgjikale, shpesh në këmbim të pagesave të konsiderueshme.
Materiali hetimor evidenton gjithashtu probleme teknike me një aparaturë për kobalto-terapi të instaluar në vitin 2021 në Spitalin Onkologjik. Sipas SPAK, aparatura nuk është vënë në funksion për shkak të mungesës së një bunkeri të certifikuar sipas standardeve të Agjencisë Atomike të Vienës. Pajisja është mbajtur në kushte të papërshtatshme, duke u kthyer në një burim rreziku për shëndetin e pacientëve për shkak të rrezatimit që emetonte.
Ndërkohë, bëhet me dije se një pjesë e personave të lidhur me këtë çështje janë transferuar më herët për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës. Në përputhje me ligjin, të gjithë të pandehurit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar nga gjykata.