Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përmbyllur hetimet lidhur me aktivitetin kriminal të Ervin Matës, i dyshuar si drejtues i një grupi që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës. Hetimet, të drejtuara nga shefi i Seksionit për Krimin e Organizuar në SPAK, Vladimir Mara, kanë rezultuar me ngritjen e akuzave për “Trafikim të narkotikëve” në bashkëpunim, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”.
Sipas dosjes hetimore, grupi akuzohet për koordinimin e një ngarkese prej 250 kilogramësh kokainë, e cila ishte nisur nga Brazili me destinacion aeroportin e Frankfurtit në Gjermani. Për këtë çështje, më herët janë dënuar pjesëtarë të tjerë të grupit me një total prej mbi 60 vitesh burgim. Ervin Mata ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që nga viti 2023, ndërsa masa e sigurisë “arrest në burg” ishte caktuar në mungesë.
Ervin Mata u arrestua në muajin prill në Ilha Bela, Brazil, ku kishte përdorur dokumente udhëtimi angleze për t’iu shmangur drejtësisë. Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka miratuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Në të kaluarën, emri i Matës ka qenë objekt i vëmendjes publike për shkak të përplasjes së armatosur në vitin 2018 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, truproja e Ervis Martinajt.