SPAK ka përfunduar hetimet ndaj shtetasit rus Vladislav Urban, 44 vjeç, të akuzuar për kanosje për kryerjen e veprave me qëllime terroriste në aeroportin e Rinasit.
Ngjarja ndodhi në shkurt 2023, kur Urbani dërgoi një email te Shefi Operacional i Rinasit. Në të, ai kërcënonte me shpërthimin e një bombe nëse qeveria shqiptare nuk e njeh Kosovën si Serbi, si dhe pretendonte se kishte marrë peng dy shqiptarë.
Nga hetimi rezultoi se emaili ishte dërguar nga Urbani, rezident në Selanik të Greqisë. Pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet greke dhe kontrollit, u konfirmua se ai nuk kishte marrë peng askënd. Gjithashtu, ai ka precedentë të mëparshëm në dërgimin e email-eve kërcënuese.
SPAK e ka marrë Urbanin si të pandehur për këtë vepër penale, por hetimet janë mbyllur tashmë.