Gjatë muajit qershor, SPAK ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare, të cilat kanë dërguar një sërë kërkesash për informacion në lidhje me çështje të ndryshme hetimore në Shqipëri. Mes mediave që kanë shprehur interes janë Fox News, CNN London, New York Times London, Anadolu Agency, MSNBC, CBS News London, The Times dhe RAI Tre.
Në lidhje me kërkesën specifike të Fox News për të konfirmuar nëse ekziston një hetim për projektin e zhvillimit të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump, SPAK ka bërë të ditur zyrtarisht se nuk ka asnjë hetim të hapur për këtë çështje. Struktura shtoi se, ndonëse ka nisur një hetim, ai nuk lidhet me objektin e pyetjes së paraqitur nga media.
Sa i përket interesimit për investimet në zonat e mbrojtura, përfshirë Sazanin dhe Zvërnecin, SPAK ka sqaruar se nuk ka një hetim specifik për projektin në ishullin e Sazanit. Megjithatë, institucioni bëri me dije se po zhvillohen hetime mbi vendime të marra që nga viti 2024, të cilat lidhen me ndryshimin e statusit të mbrojtjes së tokës, dhënien e statusit të "Investitorit Strategjik" dhe procedurat e ndërtimit të objekteve turistike në Bashkinë Vlorë. Detajet mbi këto hetime në zhvillim nuk janë bërë publike për shkak të sekretit hetimor.