Ka përfunduar me sukses procesi i stabilizimit të deponisë së mbeturinave në Sferkë të Pejës, pasi terreni është mbuluar me rreth 24 mijë metra kub dhe. Kjo ndërhyrje ka mundësuar eliminimin e plotë të zjarrit dhe tymit që kishin shkaktuar probleme në këtë zonë prej ditësh.
Sipas Kompanisë Rajonale të Mbeturinave (KRM) Ambienti, ecuria e punimeve është mbikëqyrur nga kryetari i Bordit të Drejtorëve, Gramoz Xhemajli, dhe kryeshefi ekzekutiv, Diedon Berisha. Mbulimi i deponisë është zbatuar duke ndjekur rekomandimet e Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ndërsa aktualisht po vijon procesi i ajrosjes së zonës.
Në operacionin për rikthimin e normalitetit kanë dhënë kontributin e tyre disa institucione dhe subjekte:
• Komuna e Pejës, e cila ka ndihmuar me 6 mijë metra kub dhe;
• Forca e Sigurisë së Kosovës;
• Shërbimi i zjarrfikësve;
• Kompanitë private "Jos Krasniqi Baze" dhe "SIB".
KRM Ambienti ka theksuar se situata në deponi është rikthyer në gjendje stabile falë koordinimit të akterëve të përfshirë. Megjithatë, kompania ka shprehur shqetësimin mbi fenomenin e zjarrvënieve të qëllimshme gjatë sezonit të verës, të cilat ndër vite kanë shkaktuar probleme të vazhdueshme dhe kanë ndikuar negativisht tek banorët përreth. Në këtë drejtim, është kërkuar një bashkëpunim më i gjerë institucional për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen. Kompania ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë kësaj periudhe.