Valentino Garavani, stilisti legjendar italian i njohur si Valentino, ka ndarë jetën, duke lënë pikëllim në botën e modës dhe sportit. Lidhja e tij me sportin, veçanërisht Formula 1, u theksua nga zgjedhja e pilotit anglez Lewis Hamilton si ambasador i markës në vitin 2022.
Hamilton, pilot aktual i Ferrarit, u bë imazhi i linjës Di.Vas (akronim i DI.fferent VA.lues), e dedikuar veshjeve për meshkuj në fushatën Valentino Pink PP. Ky bashkëpunim tregoi interesin e Valentino-s për të kombinuar modën me vlerat sociale.
Drejtori krijues Pierpaolo Piccioli shpjegoi arsyet e zgjedhjes: “Në biografinë e tij në Instagram Hamilton shkruan ‘Të drejta të barabarta për të gjithë. Dashuria është gjithçka’. Pak fjalë që thonë shumë. Lewis është një interpretues, është në gjendje të përdorë energjinë e tij për të shprehur veten.”
Piccioli vlerësoi angazhimin e pilotit në kauza sociale, aftësinë për të personalizuar veshjet rozë dhe stilin e tij të relaksuar: “Talenti që përçon me të gjithë qenien e tij shkon përtej shkëlqimit sportiv dhe përqafon gjithçka bën. [...] Si imazh i Di.Vas ai është sinonim i diversitetit, barazisë e sidomos dashurisë. Nuk mund të mendoja një mik më të mirë për këtë fushatë. Do të japë një mesazh empatik, human, stimulues dhe do të jetë i vërtetë, siç është ai si person prapa famës.”
Ky bashkëpunim nxori në pah lidhjen mes botës së sportit dhe modës, duke ruajtur trashëgiminë e Valentino-s për një botë më të hapur dhe të përfshirëse.