Një studim i ri, i publikuar më 28 janar në Journal of the American Heart Association, ka analizuar të dhënat e mbi 300.000 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar gjatë rreth 14 vjetësh. Ai nxjerr në pah se personat që shkojnë shpesh vonë për të fjetur, të njohur si “night owls”, përballen me probleme më të mëdha kardiovaskulare krahasuar me ata që ndjekin një ritëm të rregullt gjumi.
Hulumtimi zbuloi se këta persona kanë 16% rrezik më të lartë për sulm në zemër dhe goditje në tru në krahasim me individët me gjumë të mesëm. Efekti ishte më i theksuar tek gratë. Ndërkohë, personat e mëngjesit, të quajtur “larks”, shfaqën shëndet më të mirë të zemrës.
Ekspertët sqarojnë se rreziku nuk buron drejtpërdrejt nga orari i gjumit, por nga faktorë të modifikueshëm si përdorimi i duhanit, gjumi i pamjaftueshëm, mungesa e ushtrimeve fizike, dieta e dobët, pesha trupore e tepërt, si dhe nivelet e larta të sheqerit dhe kolesterolit në gjak. Përdorimi i duhanit shpjegon më shumë se një të tretën e rrezikut kardiovaskular të lidhur me “night owls”.
“Rëndësia kryesore është të përqendrohemi tek faktorët e shëndetit të zemrës që mund t’i ndryshojmë”, tha Dr. Sina Kianersi, bashkautore e studimit. Për personat me ritëm të vonshëm të gjumit, rekomandohet ruajtja e gjumit të mjaftueshëm, ushtrimet fizike, dieta e shëndetshme dhe shmangia e duhanit.
Studimi ofron këshilla edhe për punëtorët me turne nate, duke sugjeruar kompensimin e gjumit të humbur dhe zgjedhje të shëndetshme ushqimore. Ekspertët theksojnë se, edhe kur orari biologjik nuk ndryshohet dot, përmirësimet në stilin e jetës mund të ulin ndjeshëm rrezikun për shëndetin e zemrës.