Rreth 200 milionë amerikanë janë paralajmëruar të përgatiten për një stuhi dimërore të ashpër, që nis nga e premtja, në pjesën më të madhe të SHBA-së. Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) ka njoftuar për valë të ftohti arktik me reshje të dendura bore, ngrica dhe temperatura nën zero, ndërsa ndjesia reale e acarit do të jetë edhe më e fortë.
Meteorologët e cilësojnë këtë front si kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën për shkak të rrezikut nga hipotermia dhe ngrirja e lëkurës së ekspozuar. Stuhia parashikohet të lëvizë ngadalë, duke prekur qytete si Memphis, Nashville, Washington DC, Baltimore, Philadelphia dhe New York.
Autoritetet e transportit kanë paralajmëruar për ndërprerje udhëtimesh, vonesa dhe anulime fluturimesh në aeroporte gjatë fundjavës. Disa shtete kanë shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa stuhia pritet të shtrihet në një distancë prej rreth 3 mijë kilometrash, nga Nju Meksiko në juglindje deri në Mejn në verilindje.
Problemet kryesore përfshijnë ndërprerjet e mëdha të energjisë elektrike, që mund të lënë banorët pa ngrohje. Autoritetet këshillojnë që njerëzit të mos dalin nga shtëpitë dhe të shmangin përdorimin e automjeteve. Në zona si Minesota dhe Dakota e Veriut, temperaturat mund të zbresin deri në minus 45 gradë Celsius.
Gardës Kombëtare amerikane i është kërkuar të furnizojë me mjete motorike shërbimet emergjente për të mbështetur operacionet në kushtet e vështira.