Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se sulmet izraelite në jug të vendit më 26 prill kanë lënë 14 persona të vrarë, mes tyre dy fëmijë dhe dy gra, si dhe 37 të plagosur.
Paraprakisht, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kishin lëshuar paralajmërime për evakuim në disa fshatra të Libanit jugor, duke kërkuar nga banorët të largohen menjëherë, pasi qëndrimi rrezikonte jetën e tyre. Më pas, IDF konfirmoi sulme artilerie dhe ajrore ndaj objektivave të Hezbollahut, të cilat, sipas tyre, përdoren për të organizuar sulme kundër forcave izraelite.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite raportoi se një ushtar 19-vjeçar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën nga një sulm me dron i Hezbollahut. Sipas IDF-së, grupi militant lëshoi gjithashtu tre dronë drejt Izraelit, të cilët u interceptuan nga forcat ajrore izraelite para se të kalonin kufirin.
Armëpushimi i brishtë
Izraeli dhe Hezbollahu ruhin një armëpushim të brishtë, i cili hyri në fuqi më 16 prill dhe u zgjat me tre javë javën e kaluar. Të dyja palët e akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes. Sipas kësaj, Izraeli ruan të drejtën për masa vetëmbrojtjeje kundër sulmeve të planifikuara ose të vazhdueshme.
Deklaratat e Netanyahu
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se forcat izraelite janë "aktive dhe veprojnë me forcë" në Liban, duke akuzuar Hezbollahun se po minon armëpushimin. Ai shtoi se Izraeli vepron me vendosmëri sipas rregullave të dakorduara me SHBA-të dhe Libanin, duke përfshirë parandalimin e kërcënimeve. Më 25 prill, Netanyahu kishte urdhëruar intensifikimin e sulmeve, ku gjashtë persona u vranë në Libanin jugor.
Lëvizje diplomatike
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ndodhet në një tur diplomatik në rajon, duke vizituar Pakistanin për të paraqitur propozimet e Teheranit për bisedime me SHBA-të.
Përditësime
Hezbollahu deklaroi se sulmet e tij ndaj Izraelit ishin përgjigje ndaj shkeljeve izraelite që nga dita e parë e armëpushimit.
Zhvillime të tjera:
- Bisedimet SHBA-Iran dështuan pasi Trump anuloi udhëtimin e zyrtarëve amerikanë në Pakistan.
- Abbas Araghchi akuzon kërkesat e tepërta të SHBA-së për dështimin e negociatave në Islamabad.
- Araghchi viziton Russinë për takim me Putin mbi zhvillimet e luftës dhe çështje rajonale.
Izraeli kryen sulm ajror në Dahieh të Bejrutit, i pari që nga armëpushimi. Sulmi godet një zonë të Hezbollahut dhe një takim të forcave elitare Radwan, duke shkaktuar zjarre dhe dëme të mëdha.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu miratoi personalisht sulmin dhe deklaroi: “Asnjë terrorist nuk është i paprekshëm, krahu i gjatë i Izraelit do të arrijë çdo armik dhe vrasës.”
Zhvillime të tjera:
- Sulmet izraelite në Liban kanë lënë mbi 120 të vrarë javën e fundit, përfshirë gra dhe fëmijë.
- Ushtria izraelite kontrollon pjesë të territorit kufitar libanez për të krijuar një 'zonë sigurie' pa Hezbollah.
- Organizatat e të drejtave të njeriut shprehin shqetësime për shkatërrimin e fshatrave dhe krime të mundshme lufte.