Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi me një postim në rrjetet sociale ndaj sulmit verbal të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetarës Klodiana Lala. Kjo e fundit kishte kritikuar qeverinë për përmbytjet dhe inceneratorët.
Tabaku theksoi se sulmet ndaj gazetarëve nuk janë debat, por arratisje nga llogaridhënia. Ajo shkroi: «Kur Kryeministri bullizon gazetarët pse pyesin për korrupsionin qeveritar, problemi nuk janë pyetjet. Problemi është pushteti që ka humbur qetësinë sepse nuk ka përgjigje».
Sipas ligjvënëses, sjellja e kryeministrit nuk është rastësi. «Të dhënat ndërkombëtare konfirmojnë se degradimi i lirisë së medias në Shqipëri është sistematik. Sa më shumë ngushtohet laku i drejtësisë rreth qeverisë, aq më agresive bëhet gjuha ndaj medias».
Tabaku bëri thirrje për ndryshime në Kodin Penal për mbrojtjen e gazetarëve dhe fjalës së lirë. Ajo vlerësoi se këto ndryshime janë vetëm minimumi, pasi nevojitet një kulturë politike llogaridhënëse që pranon debatin dhe respekton mendimin ndryshe.
Në përfundim të postimit, deputetja shkroi: «Demokracia nuk dobësohet nga pyetjet e vështira. Ajo vdes nga heshtja që imponon pushteti. Gazetarët janë zëri i publikut. T’i sulmosh ata, do të thotë t’i mbyllësh veshët shoqërisë për të mos dëgjuar të vërtetën».