Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “Countering Authoritarian Influence”, organizuar nga International Republican Institute (IRI). Në fjalën e saj, ajo argumentoi se ndërhyrjet e huaja në vendet demokratike shfrytëzojnë dobësitë e brendshme institucionale.
Sipas Tabakut, fenomene si korrupsioni, pastrimi i parave, krimi i organizuar dhe kapja e shtetit kanë kaluar përmasat e çështjeve të qeverisjes, duke u shndërruar në rreziqe të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare. Ajo nënvizoi se siguria ekonomike, energjetike dhe teknologjike, së bashku me transparencën financiare, janë shtylla të domosdoshme për mbrojtjen e sovranitetit.
Në këtë kuadër, Tabaku prezantoi propozimin për krijimin e një kuadri modern për shqyrtimin e investimeve të huaja strategjike (FDI Screening). Ky mekanizëm, sipas saj, synon të vendosë kontroll në sektorë kritikë si:
- Infrastruktura
- Energjia
- Telekomunikacioni
- Portet
- Të dhënat dhe teknologjitë strategjike
Tabaku sqaroi se qëllimi i kësaj nisme nuk është pengimi i investimeve, por parandalimi i varësive strategjike dhe mbrojtja e ekonomisë nga cenueshmëria ndaj ndikimeve të huaja autoritare.