Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, vizitoi një fabrikë fasonerie, ku ngriti alarmin për thellimin e krizës në prodhimin vendas dhe mbylljen e bizneseve që eksportonin produkte Made in Albania.
Gjatë vizitës, ajo tregoi se fabrika, e cila pak muaj më parë kishte 120 punonjës, tani ka mbetur me vetëm 30. Sipas Tabakut, mbi 90 familje kanë humbur vendin e punës, ndërsa makineritë e pluhurosura simbolizojnë sektorin fason.
"Këto janë produktet e fundit Made in Albania që ky biznes ka prodhuar në tetor të vitit të shkuar. Fatkeqësisht, si rezultat i taksave të larta, pagesës së inputeve në doganë, zhvlerësimit të euros dhe rritjes së vazhdueshme të pagës minimale, këto biznese po mbyllen", deklaroi ajo.
Tabaku theksoi se barra fiskale rëndon njëkohësisht mbi punëmarrësit dhe punëdhënësit, duke e bërë të pamundur mbijetesën e këtij sektori, një nga më të rëndësishmit për punësimin dhe eksportet në Shqipëri.
"Ky biznes deri dje kishte 120 punonjës. Sot ka vetëm 30. Makineritë e pluhurosura nuk janë thjesht pajisje pune, janë mbi 90 familje të hedhura në rrugë, mbi 90 punonjës pa të ardhura", shtoi deputetja e PD-së.
Ajo e cilësoi situatën si kambanë alarmi për ekonominë shqiptare, duke vënë në dukje se zhvlerësimi i euros nxjerr nga tregu bizneset e ndershme dhe godet prodhimin vendas.
Tabaku bëri thirrje që çështjet e biznesit dhe prodhimit shqiptar të trajtohen si emergjencë kombëtare, pa ndarje politike. "Këto janë çështje që duhet ta bashkonin politikën. Alarmi për një ekonomi të kapur në pak duar ka vite që troket në dyert e ekonomisë, por sot është bërë realitet", u shpreh ajo.
Sipas saj, ndryshimi i politikave fiskale dhe mbështetja për produktet shqiptare janë të domosdoshme për të rikthyer prodhimin Made in Albania dhe për të garantuar të ardhme për familjet e papuna.