Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi përmes një videoje në rrjetet sociale për krizën e emigrimit të shqiptarëve. Ajo theksoi se largimi masiv, veçanërisht i të rinjve, është pasojë e një sistemi ekonomik dhe institucional të manipuluar, që nuk shpërblen meritën dhe konkurrencën.
Sipas Tabakut, Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të dytë historik. Në fillim të viteve ’90, vendi u përball me udhëkryq për demokracinë dhe integrimin europian, ndërsa sot përballet me një udhëkryq ekonomik që detyron qytetarët të largohen masivisht.
Duke iu referuar të dhënave të Eurostat, ajo përmendi se në 2024 rreth 44 mijë shqiptarë u larguan drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në periudhën 2021-2022, vendi humbi rreth 180 mijë qytetarë për shkak të emigrimit. Fenomeni është alarmant, pasi rreth 60% e larguarve janë të rinj, të cilët nuk shohin mundësi reale për të ndërtuar jetën në Shqipëri.
Tabaku shpjegoi se të rinjtë përballen me kosto në rritje të jetesës, çmime që rriten çdo ditë, të ardhura të ulëta, taksa të larta dhe mungesë mundësish ekonomike. Problemi nuk kufizohet te treguesit ekonomikë, por te funksionimi i sistemit, që nuk vlerëson meritokracinë dhe garën e ndershme. Ekonomia është përqendruar në pak duar, duke kufizuar mundësitë për bizneset dhe investimet.
“Ajo ka një ekonomi të kapur në pak duar dhe mungesë gare, që reflektohet në çdo sferë, nga ekonomia te administrata publike. Kjo është arsyeja kryesore pse të rinjtë largohen dhe bizneset mbyllen”, tha ajo. Tabaku shtoi se rënia e investimeve dhe ftohja e ekonomisë janë rezultat i një ndryshimi strukturor.