Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit për Çështjet Europiane në Kuvend, zhvilloi sot një takim në Kryesinë e Kuvendit me deputetin e Bundestagut gjerman Peter Beyer nga CDU. Beyer është drejtues i Grupit për Ballkanin Perëndimor në Bundestag dhe ndodhet për vizitë në Shqipëri.
Gjatë takimit, diskutimi u përqendrua në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian dhe sfidat në fazën aktuale të negociatave me Bashkimin Europian.
Tabaku vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Shqipërinë në këtë proces, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Bundestagut dhe partnerëve gjermanë.
Ajo deklaroi se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm për integrimin europian dhe se vendi kërkon reforma reale e të matshme, jo vetëm premtime politike. Avancimi në negociata duhet të jetë i bazuar në standarde, veçanërisht në grupkapitujt që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Deputetja e Partisë Demokratike argumentoi se Shqipëria ka nevojë për një transformim të vërtetë institucional, si dhe për një qeveri dhe shumicë parlamentare që punon seriozisht e në mënyrë të qëndrueshme për integrimin.
Tabaku shprehu shqetësim për drejtimin aktual të procesit të integrimit në vend. Sipas saj, ky proces është gjithëpërfshirës dhe synon transformimin e shoqërisë e institucioneve shqiptare, prandaj nuk mund të fragmentarizohet apo të trajtohet pjesërisht, siç ka lënë të kuptohet së fundmi kryeministri.