Besnik Tahiri, anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deklaroi në emisionin Frontal të televizionit T7 se nëse Ramush Haradinaj do të zgjehej president, "të gjithë do të flinin rehat".
Sipas Tahirit, Haradinaj është "kandidat shumë serioz", që do të siguronte qetësi në vend. Ai theksoi se Kosova "kurrë nuk do të shkonte mbrapa, nuk do t’i lëndonte marrëdhëniet me aleatë dhe do ta ruante fuqishëm interesin kombëtar e shtetëror".
Tahiri nënvizoi nevojën për një "president konsensual që do të ushtronte detyrat në mënyrën më të denjë të mundshme". Ai shpjegoi se AAK po shqyrton bashkërendimin politik në Kuvendin e ardhshëm me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
"Duhet të shihet cili është qëndrimi i tyre, sepse ka nevojë për një kandidaturë konsensuale", tha Tahiri. Ai shtoi se çështja e presidentit duhet trajtuar me kujdes, duke marrë parasysh qasjen e forcës fituese të zgjedhjeve.